News Item
Jeta nuk ka restart: fushatë e re paralajmëron të rinjtë për rrezikun nga keqpërdorimi i armëve
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission to Skopje
Një fushatë ndërgjegjësuese e nisur sot në Maqedoninë e Veriut u bën thirrje të rinjve të qëndrojnë larg armëve dhe të zgjedhin paqen në vend të dhunës. Fushata zbatohet nga Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar për Armët e Vogla dhe të Lehta, me mbështetjen e projektit jashtëbuxhetor të Misionit të OSBE-së në Shkup “Mbështetje për autoritetet kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ulur rrezikun nga përhapja e armëve dhe keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta (SALW)”. Fushata fokusohet në rreziqet nga keqpërdorimi i armëve dhe promovon zgjidhjen paqësore të konflikteve, empatinë dhe përgjegjësinë tek të rinjtë.
Fushata përcjell një mesazh të qartë: Jeta nuk ka restart. Armët nuk janë lojë. Qëndro larg. Përmes vizitave në shkolla, videove informuese dhe aktiviteteve publike, synohet që të rinjtë të kuptojnë rreziqet dhe pasojat e pakthyeshme të keqpërdorimit të armëve, duke i inkurajuar të zgjedhin vetëkontrollin, respektin dhe pjekurinë.
Gjatë lansimit të fushatës në Shkup, shefi i Misionit, Ambasadori Kilian Wahl, deklaroi:
“Kjo fushatë vendos të rinjtë në qendër të një mesazhi të thjeshtë, por jetik: armët nuk janë lojë dhe dhuna mund të ndryshojë jetën përgjithmonë. Zgjedhja e dialogut, respektit dhe përgjegjësisë i bën individët dhe komunitetet më të sigurta dhe më të forta.”
Mesazhi i shefit të Misionit u mbështet edhe nga ministrja e Arsimit, znj. Vesna Janevska, e cila theksoi se “Fëmijët duhet të edukohen që në moshë të hershme se nuk ka asgjë tërheqëse në mbajtjen e armëve.”
Fushata do të vazhdojë gjatë muajve mars dhe prill me vizita në shkolla në mbarë vendin, si dhe me aktivitete online që synojnë të ndërtojnë një kulturë më të fortë të mosdhunës tek gjeneratat e reja.