Skip Links

News Item

Konferenca rajonale e mbështetur nga OSBE-ja forcon reagimin ndaj krimit të organizuar që vepron nga brenda burgjeve

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Mission to Skopje

Krimi i organizuar nuk ndalet te porta e burgut. Rrjetet kriminale vazhdojnë të veprojnë nga brenda burgjeve, duke rekrutuar anëtarë, frikësuar ose korruptuar stafin dhe duke mbetur të lidhura me rrjetet e tyre jashtë burgjeve.

Këtë javë në Shkup, në një konferencë të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ambasada e SHBA-së, praktikues dhe ekspertë ndërkombëtarë po shqyrtojnë mënyrat për ta ndalur në mënyrë efektive këtë dukuri.

“Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tolerojnë ata që ndihmojnë dhe nxisin krimin e organizuar transnacional, korrupsionin apo trafikimin e drogës. Këtë e kemi dëshmuar përmes veprimeve konkrete, përfshirë vënien para përgjegjësisë të zyrtarëve të korruptuar kur ata keqpërdorin besimin e publikut për të mbrojtur rrjetet kriminale, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Nicole Varnes, ushtruese detyre në Ambasadën e SHBA-së në Shkup.

Ambasadori Kilian Wahl, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi: “Sa më mirë ta kuptojmë se si veprojnë kriminelët nga brenda burgjeve, aq më efikasë do të jemi në luftimin e rrjeteve të tyre.”

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, theksoi nevojën për një reagim të koordinuar në të gjithë sistemin e drejtësisë penale: “Nga parandalimi dhe hetimi, te ndjekja penale, gjykimi dhe ekzekutimi i dënimeve, institucionet duhet ta shohin krimin e organizuar si një sfidë të përbashkët.”

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, nënvizoi rëndësinë e integritetit, duke bërë thirrje për: “Më shumë integritet. Mbikëqyrje më të fuqishme. Zero tolerancë ndaj korrupsionit.”

Parandalimi efektiv varet nga mbledhja dhe shkëmbimi i informatave të inteligjencës, si dhe nga bashkëpunimi i pandërprerë ndërmjet burgjeve, policisë dhe prokurorëve.

Konferenca mbledh së bashku praktikues dhe ekspertë ndërkombëtarë për të shkëmbyer përvoja dhe qasje për trajtimin e veprimtarive të krimit të organizuar të lidhura me burgjet, si dhe për të forcuar bashkëpunimin në të gjithë sistemin e drejtësisë penale.