News Item
Konkurs në shkrimin e eseve
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission to Skopje
E ardhmja e korrupsionit 2036: integriteti, qeverisja e mirë dhe llogaridhënia
I hapur për: Studentët e studimeve Bachelor dhe pasuniversitare (Master) në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir, Universitetin e Evropës Juglindore dhe Universitetin American College në Shkup. Punonjësit, konsulentët ose praktikantët e OSBE-së, si dhe anëtarët e familjeve të tyre të ngushta, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë.
Afati i fundit për dorëzimin e eseve: 25 nëntor 2026
Çmimet: Autorët e tri eseve më të mira do të shpërblehen secili me një çmim (pajisje të teknologjisë së informacionit – IT).
Konteksti dhe qëllimi
Misioni i OSBE-së në Shkup synon avancimin e sundimit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut përmes zbatimit të standardeve përkatëse ndërkombëtare dhe të angazhimeve të ndërmarra në kuadër të OSBE-së në fushat e gjyqësorit dhe të drejtave themelore, në përputhje me prioritetet strategjike të Maqedonisë së Veriut. Misioni trajton sfidat që lidhen me pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, drejtësinë penale, luftën kundër korrupsionit, mosdiskriminimin, barazinë gjinore dhe të drejtat themelore, të identifikuara në dokumentet qeveritare të politikave publike dhe në vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtarë.
Paralelisht me serinë e master-klasave kundër korrupsionit, të organizuara në bashkëpunim me pesë universitete kombëtare (Universiteti American College në Shkup, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universiteti “Goce Dellçev” – Shtip, Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe Universiteti i Evropës Juglindore), Misioni i OSBE-së në Shkup ka mirëpritur interesimin dhe angazhimin e madh të treguar nga studentët.
Duke u mbështetur në këtë entuziazëm, Misioni ka kënaqësinë të shpallë konkursin për shkrimin e eseve, i cili i fton studentët të hulumtojnë të ardhmen e korrupsionit, integritetit, qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies. Qëllimi i konkursit është të inkurajojë të rinjtë të shohin përtej sfidave aktuale dhe të shqyrtojnë në mënyrë kritike se si mund të evoluojnë rreziqet e korrupsionit, transparenca, besimi i publikut dhe qeverisja gjatë dekadës së ardhshme, nën ndikimin e ndryshimeve teknologjike, politike, ekonomike dhe shoqërore.
Duke sjellë një perspektivë të orientuar drejt së ardhmes, konkursi do t’i inkurajojë pjesëmarrësit të shqyrtojnë jo vetëm se si mund të ndryshojë korrupsioni deri në vitin 2036, por edhe çfarë mund të bëjnë qeveritë, institucionet dhe qytetarët sot për të forcuar integritetin, llogaridhënien dhe qëndrueshmërinë demokratike. Gjithashtu, konkursi do të promovojë ndërgjegjësimin qytetar, reflektimin etik dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në ndërtimin e një shoqërie më transparente dhe më të përgjegjshme.
Kërkesat për esetë dhe qasja e sugjeruar
Esetë duhet të dëshmojnë një kuptim të mirëinformuar të sfidave që lidhen me korrupsionin dhe integritetin, duke ndërthurur analizën kritike të zhvillimeve aktuale me një perspektivë të orientuar drejt së ardhmes. Autorët inkurajohen të shqyrtojnë zhvillime të mundshme në të ardhmen, të identifikojnë rreziqet dhe mundësitë e reja dhe të propozojnë masa realiste, të bazuara në dëshmi, për parandalimin dhe trajtimin e korrupsionit.
Pyetja kryesore që udhëheq konkursin është:
“Si mund të evoluojë korrupsioni në të ardhmen dhe çfarë mund të bëjnë shoqëritë sot për të ndërtuar një kulturë më të fortë të integritetit dhe llogaridhënies?”
Pjesëmarrësit inkurajohen të zhvillojnë argumentet dhe këndvështrimet e tyre, të mbështetura në burime të besueshme akademike, juridike ose të politikave publike. Esetë duhet të dëshmojnë mendim të pavarur, origjinalitet dhe aftësi për të ndërlidhur sfidat e sotme me zhvillimet e mundshme në të ardhmen. Autorët duhet të sigurohen që argumentet e tyre të jenë bindëse, rekomandimet praktike, ndërsa esetë të jenë të qarta dhe të strukturuara mirë.
Për të nxitur kreativitetin dhe inovacionin, pjesëmarrësit mund t’i qasen temës përmes formateve dhe perspektivave të ndryshme, duke përfshirë:
- Skenarë të së ardhmes: Shqyrtimi i skenarëve të mundshëm për korrupsionin, integritetin dhe llogaridhënien në vitin 2036.
- Ese narrative të vendosura në vitin 2036: Përfytyrimi i mënyrës se si rreziqet e korrupsionit dhe përpjekjet kundër korrupsionit mund të ndikojnë në institucionet dhe shoqërinë në të ardhmen.
- Një letër nga e ardhmja: Shkrimi i një letre nga viti 2036, duke reflektuar mbi zgjedhjet e bëra sot dhe pasojat e tyre për integritetin dhe llogaridhënien.
- Rekomandime për politika publike nga perspektiva e së ardhmes: Propozimi i masave që qeveritë, institucionet dhe qytetarët duhet të ndërmarrin sot për të parandaluar korrupsionin në të ardhmen.
- Artikuj fiktivë gazetaresk ose shënime ditari nga e ardhmja: Përdorimi i rrëfimit krijues për të shqyrtuar sfidat e ardhshme të qeverisjes dhe përgjigjet e mundshme ndaj tyre.
Këto formate janë sugjerime që synojnë të nxisin qasje të ndryshme. Pavarësisht formatit të zgjedhur, esetë e dorëzuara duhet të dëshmojnë mendim kritik, kuptim të qëndrueshëm të çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe integritetin, si dhe një lidhje të besueshme ndërmjet zhvillimeve aktuale dhe skenarëve të mundshëm të së ardhmes.
Kriteret e vlerësimit
Një komision vlerësimi i përbërë nga katër profesorë do t’i vlerësojë esetë e dorëzuara në mënyrë anonime, sipas kritereve të mëposhtme:
- Origjinaliteti dhe kreativiteti (maksimumi 25 pikë)
- Kuptimi i çështjeve që lidhen me korrupsionin dhe integritetin (maksimumi 25 pikë)
- Mendimi kritik dhe i orientuar drejt së ardhmes, duke përfshirë besueshmërinë e skenarëve dhe argumenteve (maksimumi 25 pikë)
- Cilësia e rekomandimeve dhe reflektimeve (maksimumi 25 pikë)
Formati dhe gjatësia
Esetë duhet të shkruhen në gjuhën angleze, me fontin Times New Roman, madhësinë 12 dhe hapësirë ndërmjet rreshtave 1,15. Gjatësia e përgjithshme duhet të jetë nga 1.400 deri në 1.600 fjalë (rreth tri faqe). Esetë që e tejkalojnë këtë numër fjalësh nuk do të merren në shqyrtim.
Origjinaliteti dhe përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale
Të gjitha esetë duhet të jenë punë origjinale e autorëve dhe të pasqyrojnë idetë, mendimin kritik dhe analizën e tyre. Pjesëmarrësit mund t’i përdorin mjetet e inteligjencës artificiale si mbështetje për hulumtim, gjenerim idesh, korrigjim gjuhësor ose redaktim të tekstit, me kusht që përdorimi i tyre të mos zëvendësojë kontributin e tyre intelektual ose zhvillimin e pavarur të argumenteve, skenarëve dhe rekomandimeve të tyre.
Nuk lejohet përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale për të gjeneruar pjesë të konsiderueshme të esesë ose për të prodhuar analizat, argumentet apo rekomandimet që paraqiten si punë e vetë autorit. Pjesëmarrësit duhet të sigurohen që të gjitha pohimet faktike dhe referencat të jenë të sakta dhe të verifikueshme, si dhe që të gjitha burimet të citohen siç duhet.
Pjesëmarrësit duhet të deklarojnë çdo përdorim të mjeteve të inteligjencës artificiale në një deklaratë të shkurtër në fund të esesë së dorëzuar, duke specifikuar mjetet e përdorura dhe qëllimin për të cilin janë përdorur. Mosrespektimi i këtyre kërkesave, si dhe plagjiatura ose paraqitja e rreme e autorësisë, mund të rezultojë në diskualifikim nga konkursi.
Sesioni informues
Për studentët e interesuar, Misioni i OSBE-së në Shkup do të organizojë një sesion informues online, me udhëzime më të hollësishme se si të përgatitet një ese konkurrues, një javë para afatit të fundit për dorëzimin e eseve. Për të marrë informacione mbi datën dhe orën e saktë të sesionit dhe për të siguruar lidhjen e Zoom-it, ju lutemi dërgoni një email në adresën arben.ajrulai@osce.org dhe përfshini të dhënat tuaja të kontaktit.
Procesi i aplikimit
Udhëzimet për konkursin e shkrimit të eseve do të jenë gjithashtu në dispozicion në gjuhën maqedonase dhe shqipe.
Autorët duhet t’i dorëzojnë esetë e tyre në format PDF në adresën arben.ajrulai@osce.org , jo më vonë se më 25 nëntor 2026. Për të mundësuar vlerësimin anonim, autorët duhet të përfshijnë emrin, mbiemrin dhe emrin e universitetit të tyre në tekstin e emailit. Ata duhet të sigurohen që emrat e tyre të mos shfaqen në vetë dokumentin e esesë.
Asgjë në këtë konkurs ose në lidhje me të nuk duhet të interpretohet si heqje dorë, e shprehur ose e nënkuptuar, nga cilado prej privilegjeve ose imuniteteve të OSBE-së.