News Item
Komunat fqinje forcojnë bashkëpunimin mbi reagimin ndaj dhunës në familje
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission to Skopje, OSCE Presence in Albania, OSCE Mission in Kosovo
Përfaqësues të komunave të Tetovës, Dragashit dhe Kukësit u takuan në Tetovë për të forcuar bashkëpunimin dhe për të shkëmbyer përvojat praktike për parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës në familje.
Dialogu ndërkomunal, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Shkup, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, bashkoi përfaqësuesit e komunave, ligjzbatuesit , prokurorët, gjyqësorin, shërbimet sociale dhe shoqërinë civile.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat në trajtimin e dhunës në familje në juridiksione të ndryshme, shkëmbyen praktika të mira dhe analizuan mënyrat praktike për të përmirësuar bashkëpunimin midis institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e viktimave.
“Bashkëpunimi efektiv midis autoriteteve ndërtohet kur praktikuesit kuptojnë mandatet dhe kufizimet e njëri-tjetrit dhe kur zhvillojmë rrugë praktike që u mundësojnë viktimave mbrojtje në të gjitha juridiksionet,” tha shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Ambasadori Kilian Wahl.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Gerard McGurk, theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit për të avancuar shërbimet dhe përgjigjet për ata që kanë nevojë, veçanërisht për gratë dhe fëmijët. “Partneriteti midis Dragashit, Kukësit dhe Tetovës tregon si përpjekjet e përbashkëta mund të shpien drejt parandalimit më efektiv, mbrojtjes më të madhe të viktimave dhe mekanizmave të avancuar të llogaridhënies në linjë me Konventën e Stambollit,” deklaroi ai.
Shefi e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Michel Tarran, nënvizoi se si kjo iniciativë është rritur nga një shkëmbim midis dy komunave në një platformë më të gjerë që ngërthen aktorë nga tri juridiksione. “Kufijtë administrativë apo të juridiksioneve nuk duhet të shndërrohen në pengesa praktike për qasjen e viktimës deri tek mbrojtja, mbështetja dhe drejtësia. Pikërisht për këtë arsye, bashkëpunimi midis komunave, si dhe midis institucioneve lokale dhe atyre të sektorit të drejtësisë, është qenësor.” deklaroi ai.
Dialogu u përqendrua në zgjidhjet praktike për një bashkëpunim më të madh midis strukturave komunale dhe institucioneve të kyçura në parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Tre zyrat e OSBE-së mbeten të përkushtuara për të mbështetur këtë dialog dhe për të ndihmuar në shndërrimin e diskutimeve në bashkëpunim praktik të vazhdueshëm.