News Item

Improving access to healthcare for people in prison

Issued on:
Lëshuar nga:
OSCE Mission to Skopje

Personat që vuajnë dënimin me burg kanë të njëjtën të drejtë për kujdes shëndetësor si të gjithë qytetarët e tjerë. Por, fakti që kjo e drejtë garantohet me ligj nuk do të thotë gjithmonë se ata e marrin ndihmën mjekësore atëherë kur u nevojitet.

Një raport i ri i Avokatit të Popullit, që përfshin 11 institucione ndëshkuese-korrektuese në Maqedoninë e Veriut, tregon se asnjëri prej tyre nuk ka personel shëndetësor në dispozicion 24 orë në ditë. Katër institucione nuk kanë personel të përhershëm shëndetësor, ndërsa shtatë përballen me mbipopullim. Raporti evidenton gjithashtu vonesa në marrjen e shërbimeve mjekësore specialistike, vështirësi në sigurimin e barnave dhe mangësi në kujdesin për shëndetin mendor.

Për të diskutuar këto gjetje dhe ndryshimet që nevojiten, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Avokati i Popullit mblodhën përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, drejtues të burgjeve dhe institucioneve tjera përkatëse.

“Kur të njëjtat probleme përsëriten dhe evidentohen vit pas viti, kjo tregon se sistemi nuk po jep rezultatet e pritura. Na duhen zgjidhje konkrete që do të zbatohen edhe në praktikë”, tha Faton Selami, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut.

Diskutimi u përqendrua në masat që mund të ndërmerren për të adresuar problemet e evidentuara në raport, përfshirë sigurimin e personelit të mjaftueshëm mjekësor, përmirësimin e reagimit në raste urgjente, lehtësimin e qasjes në shërbime specialistike dhe barna, si dhe forcimin e mbështetjes për shëndetin mendor.

“Heqja e lirisë nuk duhet të nënkuptojë asnjëherë cënimin e dinjitetit njerëzor”, tha ambasadori Kilian Wahl, Shef i Misionit të OSBE-së në Shkup. “Personat e privuar nga liria vazhdojnë të gëzojnë të drejtat univerzale të njeriut, përfshirë të drejtën për kujdes shëndetësor, dhe këto të drejta duhet të respektohen.”

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu se si burgjet, ofruesit e shërbimeve shëndetësore dhe institucionet përgjegjëse mund të bashkëpunojnë më mirë, në mënyrë që personat e privuar nga liria të marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor, pavarësisht se në cilin institucion ndodhen.