News Item
Bashkojmë forcat të ndalojmë femicidin
- Issued on:
- Lëshuar nga:
- OSCE Mission to Skopje, OSCE Mission to Skopje
- Fields of work:
- Barazia gjinore
Forcimi i koordinimit të tërë sistemit për të parandaluar femicidin në Maqedoninë e Veriut
Shkup, 25 nëntor 2025 – Si pjesë e 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Misioni i OSBE-së në Shkup sot mbajti evenimentin qendror me titullin “Nga Raportimi i Dhunës deri te Parandalimi i Femicidit – Reagim Sistemik”, duke bashkuar në një vend Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, përfaqësues të institucioneve shtetërore, profesionistë të sektorit të drejtësisë, shoqërinë civile dhe mediat. Evenimenti prezantoi progresin nacional drejt krijimit të Iniciativës për Monitorimin e Rasteve të Femicidit, mekanizmi i parë i koordinuar dhe multisektorial i vendit i kushtuar monitorimit dhe parandalimit të femicidit.
Në fjalimin e saj, Presidentja Siljanovska Davkova nënvizoi rëndësinë e koordinimit dhe parandalimit institucional: “Ne kemi nevojë për përkufizime të qarta, të dhëna të besueshme dhe qasje analitike dhe të koordinuar ndaj femicidit. Institucionet e forta gjithashtu kanë nevojë për përfaqësim më të madh të grave në rolet kyçe vendimmarrëse. Trajtimi i dhunës me bazë gjinore kërkon tregues të qartë, veprim konsistent dhe ndërgjegjësim të vazhdueshëm publik. Femicidi është problem sistemik – dhe mu për atë kërkon përgjigje sistemike.”
Në fjalën e tij, ambasadori Kilian Wahl, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, theksoi: “Femicidi mund të parandalohet. Kur informacionet mbeten në dosje të veçanta dhe institucionet nuk bashkëpunojnë, rreziqet nuk vërehen dhe mundësitë për ndërhyrje shemben. Parandalimi i vërtetë nis me veprim të hershëm dhe përgjegjësi të përbashkët dhe sistem ku institucionet e shohin fotografin e plotë dhe veprojnë para se të jetë tepër vonë.”
Iniciativa bazohet në mbështetjen e gjatë të OSBE-së për të trajtuar dhunën ndaj grave, duke përfshirë analizën e rasteve retrospektive, monitorimin e gjykimeve dhe bashkëpunimin me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Rrjetin Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave. Gjetjet nga këto përpjekje shpalosin trend që përsëritet, siç është keqpërdorimi i afatgjatë i cili shpesh nuk u raportua, kualifikimet ligjore jo-konsistente dhe të dhënat e fragmentuara – duke nënvizuar nevojën për një kornizë të parandalimit të unifikuar dhe të bazuar në prova.
Trupi Punues Multisektorial është në qendër të kësaj iniciative, cili bashkon përfaqësues të organeve ligjzbatuese, prokuroria, gjyqësori, shërbimet sociale dhe shëndetësore dhe shoqëria civile. Trupi i shqyrton rastet dhe tentativat e regjistruara të femicidit që nga viti 2014, duke identifikuar zbrazëtirat sistemike dhe duke siguruar që institucionet të nxjerrin mësimet e duhura. Edhe pse nuk është solucion në vete, ai ofron hapësirë të strukturuar për bashkëpunim, këmbim të informatave dhe parandalim të hershëm.
Programi përfshiu kontribute nga praktikuesit institucionalë dhe ekspertët e shoqërisë civile, pasuar nga një diskutim interaktiv mbi sfidat, mësimet e nxjerra dhe hapat e mëtejshëm. Misioni i OSBE-së në Shkup riafirmoi mbështetjen e vet të vazhdueshme për partnerët nacional për të siguruar që mësimet nga rastet e kaluara të përkthehen në përmirësime të qëndrueshme në parandalim, mbrojtje dhe llogaridhënie.